FJALA e Kancelarit Federal Olaf Scholz
në Univerzita Karlova Pragë
29 gusht 2022, ora 11:02

  • Federal Chancellor
  • Olaf Scholz

  • News

  • Chancellery

  • Service

Shumë e nderuar zonja Rektore, Prof. Králíčková,
të nderuar zonja dhe zotërinj bashkërektorë dhe anëtarë të fakulteteve,
shumë i nderuar zoti Ministër Beg,
Shkëlqesi,
të dashur studente dhe studentë,
zonja dhe zotërinj!  

Ju falënderoj përzemërsisht për ftesën miqësore! Për mua është një nder i madh t‘ju flas sot në këtë vend historik – thuajse nën sytë e themeluesit të këtij institucioni të nderuar – për të ardhmen, të ardhmen tonë, e cila për mua përmblidhet me një fjalë: Evropë.

Ndoshta nuk ka vend më të përshtatshëm për këtë sesa qyteti i Pragës, sesa ky universitet me trashëgiminë e tij pothuajse 700-vjeçare. „Ad Fontes“, tek burimet, kështu kumbonte thirrja e humanistëve të mëdhenj të Rilindjes Evropiane. Kush niset për tek burimet e Evropës, rruga do ta sjellë pashmangshmërisht këtu, në këtë qytet, trashëgimia dhe pamja e të cilit janë aq evropiane sa në asnjë qytet tjetër të kontinentit tonë. Ҫdo turist amerikan apo kinez që kalon përmes Urës së Karlit për në Hradčany e kupton menjëherë këtë. Kjo është arsyeja pse ata janë këtu, sepse në këtë qytet, midis kështjellave dhe urave të tij mesjetare, kulteve fetare dhe varrezave katolike, protestante dhe hebreje, katedraleve gotike dhe Art-Nouveau-Palais, rrokaqiejve të qelqta dhe rrugicave me godina soletash druri, në tollovinë e gjuhëve të ndryshme që dëgjohen në qytetin e vjetër, ata gjejnë atë, çka e bën Evropën kaq të vecantë: larminë më të madhe në më të ngushtën e hapësirave. 

Pra, nëse themi se Praga është një Evropë e vogël, atëherë Universiteti Karl është si kronisti i historisë sonë evropiane, kaq e pasur me dritë dhe hije. Nuk mund të them nëse themeluesi i tij, Perandori Karl IV. e shihte veten si evropian. Biografia e tij na e sugjeron këtë: i lindur me emrin e tij bohemian “Vaclav“, i shkolluar në Bolonjë dhe Paris, i biri i një sundimtari nga shtëpia e Luxemburgut dhe një nëne habsburgiane, Perandor gjerman, Mbret i Bohemisë dhe Italisë. Fakti që në universitetin e “tij” krahas studentëve nga Franca, Italia, Anglia ndjekin studimet e tyre të përgjithshme në mënyrë krejt të vetkuptueshme edhe studentë nga Bohemia, Polonia, Bavaria dhe Saksonia duket të jetë një rrjedhë e logjikshme e kësaj. 

Por për shkak se ky universitet ndodhet në Evropë, atij i është dashur të vuajë dhe momentet e errëta të historisë evropiane: zellin fetar, ndarjen sipas kufijve gjuhësorë dhe kulturorë, konformitetin idologjik përgjatë diktaturave të shekullit të 20-të, Gjermanët shkruan kapitullin më të errët: mbylljen e universitetit nga pushtuesit nacionalsocialistë, pushkatimin e studentëve protestues, rrëmbimin dhe vrasjen e mijëra anëtarëve të universitetit në kampet e përqendrimit. Këto krime na dhembin dhe turpërojnë ne gjermanëve ende edhe sot e kësaj dite. Kjo është dhe një nga arsyet përse unë jam sot këtu, për ta thënë këtë, aq më tepër që ne shpesh e harrojmë se mungesa e lirisë, vuajtja dhe diktatura për shumë qytetare dhe qytetarë të Evropës Qendrore nuk përfunduan me pushtimin gjerman dhe shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore. 

Një nga shumë mendjet e mëdha që ka krijuar ky universitet na e kujtoi këtë pikërisht në kohën e Luftës së Ftohtë. Në vitin 1983 Milan Kundera përshkruan “tragjedinë e Evropës Qendrore”, konkretisht se si polakët, çekët, sllovakët, baltikët, hungarezët, bullgarët dhe jugosllavët, pas luftës së Dytë Botërore “u zgjuan” (…) dhe kuptuan se ata gjendeshin në Lindje, se “ishin fshirë nga harta e Perëndimit”. Edhe me këtë trashëgimi duhet të merremi, veçanërisht ata mes nesh, të cilët u gjendën në anën perëndimore të Perdes së Hekurt, jo vetëm sepse kjo trashëgimi është një pjesë e historisë sonë evropiane dhe kësisoj e historisë sonë të përbashkët si evropiane dhe evropianë, por edhe sepse përvoja e qytetareve dhe qytetarëve të Evropës Qendrore dhe Lindore – ndjenja e të qenit të harruar dhe braktisur pas Perdes së Hekurt – ka ende ndikim dhe sot e kësaj dite, madje dhe në debatet rreth të ardhmes sonë, rreth Evropës. 

Në këto ditë shtrohet sërish pyetja, se ku do të jetë vija e ardhshme ndarëse midis Evropës së lirë dhe një autokracie neoimperiale. Në muajin shkurt, pas pushtimit rus të Ukrainës, unë fola për një pikë kthese. Rusia e Putinit do të krijojë kufij të rinj përmes forcës – diçka, që ne në Evropë nuk do të donim ta përjetonim sërish. Sulmi brutal ndaj Ukrainës është rrjedhimisht dhe një sulm ndaj rendit evropian të sigurisë. Ne e kundërshtojmë këtë me të gjithë vendosmërinë. Për këtë në bashkëpunim edhe me partnerët transatlantikë na nevojitet forca e gjithsecilit prej nesh si një shtet më vete, por edhe si Bashkim Evropian. 

Kjo Evropë e bashkuar lindi si një projekt paqeje me orientim të brendshëm. „Kurrë më luftë mes vendeve anëtare të saj“, ky ishte qëllimi. Sot na takon ne ta zhvillojmë më tej këtë premtim paqeje duke e bërë të aftë Bashkimin Evropian të garantojë sigurinë e tij, pavarësinë dhe stabilitetin edhe përballë sfidave të jashtme. Kjo është detyra e re e Evropës për paqen, zonja dhe zotërinj. Kjo është ajo çka presin shumica e qytetareve dhe qytetarëve të Evropës, si në Perëndim ashtu dhe në Lindje të kontinentit tonë. 

Kësisoj është një fat i madh që në këto kohëra duke patur Republikën e Ҫekisë në Presidencën e Këshillit të BE-së kemi një vend, i cili e ka kuptuar prej kohësh rëndësinë e kësaj detyre dhe po e lëviz Evropën në drejtimin e duhur. Ҫekia ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë për këtë dhe unë mezi pres të punojmë së bashku me Kryeministrin Fiala për t’i dhënë kësaj pike kthese („Zeitenwende“) përgjigjet e duhura evropiane. 

E para prej tyre është: Ne nuk e pranojmë sulmin e Rusisë ndaj paqes në Evropë. Ne nuk mund të pranojmë të shohim si vriten gra, burra dhe fëmijë dhe se si hiqen nga harta vende të lira apo si zhduken ato pas mureve dhe perdeve të hekurta. Ne nuk duam të kthehemi prapa në shekullin e 19-të apo 20-të, me luftrat pushtuese dhe ekseset totalitare. 

Evropa jonë është e bashkuar në paqe dhe liri, e hapur për të gjitha kombet evropiane që ndajnë vlerat tona. Dhe mbi të gjitha është refuzimi real i imperializmit dhe autokracisë. Bashkimi Evropian nuk funksionon përmes epërsisë dhe nënshtrimit, por përmes njohjes së dallimeve, përmes barazisë midis anëtarëve të tij, përmes pluralitetit dhe balancimit të interesave të ndryshme. 

Pikërisht këtë Evropë të bashkuar Putini e ka halë në sy, sepse ajo nuk përshtatet me botëkuptimin e tij, sipas së cilit vendet më të vogla duhet t‘i nënshtrohen një grushti fuqish të mëdha evropiane. Edhe më e rëndësishme është që së bashku të mbrojmë idenë tonë të Evropës. Prandaj ne e mbështesim Ukrainën e sulmuar: ekonomikisht, financiarisht, politikisht, në aspektin humanitar dhe ushtarakisht. Në lidhje me këtë të fundit Gjermania ka ndryshuar plotësisht kurs muajt e fundit. Ne do ta vazhdojmë ketë mbështetje në mënyrë të besueshme dhe për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Kjo vlen për rindërtimin e vendit të shkatërruar, çka do të jetë një përpjekje e mundimshe për brezat. Për këtë nevojitet koordinim ndërkombëtar dhe një strategji e mençur dhe e qendrueshme. Kjo do të jetë tema e një konferencë ekspertësh, ku Presidentja e Komisionit von der Leyen dhe unë do të ftojmë Ukrainën dhe partnerët e saj nga mbarë bota më 25 tetor në Berlin. 

Në javët dhe muajt e ardhshëm Ukraina do të marrë nga ne gjithashtu armë të reja dhe supermoderne, sisteme për mbrojtjen ajrore, radarë dhe dronë zbulimi. Vetëm paketa jonë e fundit e dërgesave me armë arrin një vlerë prej më shumë se 600 milionë eurosh. Objektivi ynë janë forcat e armatosura moderne ukrainase, që do të mbrojnë vendin e tyre në mënyrë të vazhdueshme. 

Megjithate, Kievit nuk do të duhej t’i çonim vetëm ato, për të cilat ne vetë momentalisht nuk kemi nevojë. Edhe këtu lispet më shumë planifikim dhe koordinim. Së bashku me Holandën kemi nisur një iniciativë, e cila synon një ndarje të vazhdueshme dhe të besueshme të punëve midis të gjithë partnerëve të Ukrainës. Do të imagjinoja për shembull që Gjermania të merrte një përgjegjësi të vecantë në ndërtimin e artilerisë dhe mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Ne duhet të biem shpejt dakord për një sistem të tillë të mbështetjes së koordinuar duke afirmuar kësisoj njohjen dhe angazhimin tonë për një Ukrainë të lirë dhe të pavarur në vazhdimësi, ashtu sikurse bëmë në Këshillin Evropian në qershor teksa thamë njëzëri „po“. Po, Ukraina, Republika e Moldavisë, në perspektivë dhe Gjeorgjia dhe natyrisht gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e jona, i përkasin pjesës së lirë dhe demokratike të Evropës. Anëtarësimi i tyre ne BE është në interesin tonë. 

Mund ta argumentoja këtë demografikisht ose ekonomikisht, apo në frymën e Milan Kunderas, kulturalisht, etikisht dhe moralisht. Të gjithë këto argumente qëndrojnë. Por ajo çka shfaqet sot më e qartë se kurrë është dimensioni gjeopolitik i këtij vendimi. Realpolitikë në shekullin e 21-të nuk do të thotë të lësh mënjanë vlerat dhe të sakrifikosh partnerët në favor të kompromiseve të shprishura. Realpolitika duhet të nënkuptojë përfshirjen e miqve dhe partnerëve me vlera, mbështetjen e tyre për të qenë edhe më të fortë në konkurrencën globale përmes bashkëpunimit.

Kështu e kuptoj unë dhe propozimin e Emmanuel Macron-it për një komunitet politik evropian. Ne kemi natyrisht Keshillin e Evropës, OSBE-në, OECD-në, Partneritetin Lindor, Zonën Ekonomike Evropiane dhe NATO-n. Të gjitha këto janë forume të rëndësishme, përmes të cilave ne evropianët bashkëpunojmë ngushtë, edhe përtej kufijve të BE-së. Por ajo çka mungon është një shkëmbim i rregullt në nivel politik, një forum, ku ne krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së dhe partnerët tanë evropianë të diskutojmë dy herë ne vit çështjet qendrore që prekin kontinentin tonë në tërësi: siguria, energjia, klima apo konektiviteti. 

Një bashkim i tillë – kjo është për mua shumë e rëndësishme – nuk është një alternativë për zgjerimin e ardhshëm të BE-së; sepse ne i qendrojmë fjalës të dhënë vendeve tona kandidate – vendeve të Ballkanit Perëndimor madje prej pothuajse 20 vitesh - dhe këto fjalë duhet të pasohen më në fund nga veprat. 

Me të drejtë, shumë prej tyre kanë bërë thirrje vitet e shkuara për një Bashkim Evropian më të fortë, më sovran, gjeopolitik, për një Bashkim Evropian, i cili e njeh vendin e tij në historinë dhe gjeografinë e kontinentit dhe vepron fort dhe njëzëshëm në botë. Vendimet historike të muajve të shkuar na kanë sjelle më afër pranë këtij objektivi. Me një vendosmëri dhe shpejtësi si kurrë më parë vendosëm sanksione të ashpra kundër Rusisë së Putinit. Pa kundërshtitë e zakonshme në të shkuarën u pritën dhe u strehuan katër milionë gra, burra dhe fëmijë nga Ukraina, të cilët kërkuan ndihmë tek ne. Pikërisht Republika e Ҫekisë dhe shtete të tjera të Evropës Qendrore dëshmuan zemrëgjerësinë dhe solidaritetin e tyre të madh. Për këtë ju keni respektin tim më të madh.

Edhe në raste të tjera i kemi dhënë frymë fjalës solidaritet. Ne punojmë ngushtësisht së bashku për furnizimin me energji. Vetëm para pak javësh miratuam objektivat evropiane të kursimit për konsumin e gazit. Të dyja këto aspekte janë të qenësishme për dimrin që po afron dhe veçanërisht Gjermania është shumë mirënjohëse per këtë solidaritet.

Të gjithë ju e dini, se me ç’vendosmëri është angazhuar Gjermania për të reduktuar pavarësinë e saj nga furnizimi rus me energji. Ne po ndërtojmë kapacitete alternative për importin e gazit të lëngshëm dhe naftës dhe këtë e bëjmë në mënyrë solidare duke marrë parasysh gjithashtu edhe nevojat e vendeve pa dalje në det, si Republica Ҫeke. Këtë ia premtova Kryeministrit Fiala në vizitën e tij në Berlin në muajin maj, dhe këtë solidaritet sigurisht do ta rikonfirmojmë edhe në takimin e sotëm.

Sepse presioni për ndryshim ndaj nesh, evropianëve dhe evropianeve, do të rritet, pavarësisht nga lufta e Rusisë dhe pasojat e saj. Në një botë me tetë – në të ardhmen ndoshta me dhjetë – miliardë njerëz, secili nga shtetet tona kombëtare evropiane, më vete, është shumë i vogël për të imponuar interesat dhe vlerat e tij. Edhe më e rëndësishme është për ne të krijojmë një Bashkim Evropian, që vepron në unitet. 
Edhe më të rëndësishëm janë partnerët e fortë, para të gjithëve Shtetet e Bashkuara. Është një fat për ne të gjithë që me Presidentin Biden të kemi sot në Shtëpinë e Bardhë një transatlantikas të vendosur. Se ç’vlerë të domosdoshme ka partneriteti transatlantik, këtë e kemi përjetuar në muajt e fundit. NATO është sot më e bashkuar se kurrë, vendimet politike ne i marrim krah për krah me aleancën transatlantike. Po sado shumë që Presidenti Biden ka bërë për partneritetin tonë, ne e dimë që fokusi i Washingtonit është drejtuar edhe më fort tek konkurrenca me Kinën dhe në Rajonin Aziatiko-Paqësor. E njëjta gjë do të vlejë edhe për qeveritë e ardhshme amerikane, ndoshta edhe më shumë. 

Në një botë shumëpolare, dhe kjo është bota e shekullit të 21-të, nuk mjafton vetëm të ruash partneritetet ekzistuese, sado të vlefshme të jenë ato. Ne do të investojmë në partneritete të reja – në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut. Diversifikimi politik dhe ekonomik, kjo është pra dhe një pjesë e përgjigjes së pyetjes, se cili është raporti që vendosim me Kinën si fuqi botërore dhe se si do të shpengojmë trekëndëshin “partner, konkurrent dhe rival”.

Pjesa tjeter e kësaj përgjigjeje është: Ne duhet ta shpërfaqim rëndësinë e Evropës së bashkuar shumë më fort. Së bashku ne kemi mundësitë më të mira për të lënë gjurmë dhe formësuar shekullin e 21-të në frymën tonë, në frymën evropiane – si një Bashkim Evropian me 27, 30 apo 36 shtete dhe me më shumë se 500 milionë qytetare dhe qytetarë të lirë dhe të barabartë, me tregun e brendshëm më të madh në botë, me institute kërkimore kryesuese, me inovacione dhe sipërmarrje inovative, me demokraci të qendrueshme, me një kujdes social dhe një infrastrukturë publike të pashembullt në botë. Kjo është ambicja, që unë lidh me një Evropë gjeopolitike. 

Përvoja e muajve të fundit tregon se bllokadat mund të kapërcehen. Rregullat evropianë ndryshojnë, nësë lind nevoja edhe me një ritëm të shpejtë. Edhe vetë marrëveshjet evropiane nuk janë të skalitura në gurë. Nëse së bashku dalim në përfundimin, se këto marrëveshje duhen përshtatur në mënyrë që Evropa të ecë përpara, atërë duhet ta bëjmë këtë. 

Megjithatë, diskutimet abstrakte rreth kësaj nuk na shpien më tej. Përkundrazi, e rëndësishme është që të shohim çfarë duhet ndryshuar dhe më pas të vendosim konkretisht, se si do të veprojmë. Forma ndjek funksionin - „Form follows function“: Ky pretendim i arkitekturës moderne bën pjesë urgjentisht si parim edhe në politikën evropiane. 

Është mëse e qartë për mua, që Gjermania duhet të sjellë propozime për këtë dhe të ndërmarrë vetë veprime. Edhe për këtë arsye unë jam sot këtu, në kryeqytetin e Presidencës së Këshillit të BE-së, për t’ju prezantuar juve dhe miqve tanë në Evropë disa nga idetë e mia për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Por mbani parasysh, këto janë ide, oferta, shtysa mendimi – jo zgjidhje të gatshme gjermane. 

Për mua, përgjegjësia e Gjermanisë për Evropën qëndron në faktin se ne, së bashku me fqinjët tanë hartojmë zgjidhje dhe më pas vendosim bashkërisht. Unë nuk dua një BE të klubeve dhe drejtorive ekskluzive, por një BE të anëtarëve të barabartë. 

Do të doja të shtoja shprehimisht: Fakti që BE-ja po rritet më tej në drejtim të Lindjes është një fitore për të gjithë ne. Gjermania si një vend në qendër të kontinentit do të bëjë gjithcka për t’i bërë bashkë në Evropë Lindjen dhe Perëndimin, Veriun dhe Jugun. Do ju lutesha që edhe këto këto katër konsiderata të mëposhtme t’i kuptonit në po të njëjtën frymë. 

Së pari: Unë angazhohem për zgjerimin e Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë dhe në perspektivë edhe me Gjeorgjinë. 

Megjithatë, një Bashkim Evropian me 30 apo 36 shtete do të duket ndryshe nga Unioni ynë i sotëm. Kjo është e qartë. Qendra e Evropës po lëviz në drejtimin lindor, do të thoshte dikush duke cituar hitorianin Karl Schlögel. Në këtë Bashkim Evropian të zgjeruar do të rriten dallimet mes vendeve anëtare në aspektin e interesave politike, fuqisë ekonomike apo sistemeve sociale. Ukraina nuk është Luxemburgu, dhe Portugalia i sheh sfidat botërore ndryshe nga Maqedonia e Veriut. 

Pikë së pari, vendeve kandidate u kërkohet të përmbushin kriteret e anëtarësimit. Ne do t’i mbështesim aq sa mundemi. Por njëkohësisht duhet të përgatisim dhe sjellim në formë edhe vetë BE-në për këtë zgjerim të madh. Kjo do të kërkojë kohë, kështu që na duhet të nisim që tani. Edhe në raundet e deritanishme të zgjerimit, reformat në vendet anëtare kanë ecur paralelisht me reformat institucionale brenda Bashkimit Evropian. Kështu do të jetë edhe këtë herë. 

Ne nuk mund t’i shmangemi këtij debati – të paktën jo nëse perspektivën e zgjerimit e mendojmë seriozisht. Dhe duhet t’i marrim seriozisht premtimet tona për zgjerimin. Pasi vetëm kështu mund të arrijmë stabilitet në kontinentin tonë. Pra, le të flasim për reformat. 

Në këshillin e BE-së, në nivel ministresh dhe ministrash, kërkohet veprim i shpejtë dhe pragmatik. Kjo duhet të sigurohet edhe në të ardhmen. Megjithatë, aty ku sot kërkohet unanimitet, me hyrjen e çdo anëtari të ri rritet dhe rreziku që një vend i vetëm përmes  vetos së tij mund të pengojë përparimin e gjithë të tjerëve. Kushdo, që beson ndryshe, po mohon realitetin evropian. 

Prandaj kam propozuar që në politikën e përbashkët të jashtme, por dhe në fusha të tjera si politika fiskale, të kalohet gradualisht në vendimmarrjen me shumicë – duke qenë i vetëdijshëm se kjo do të kishte ndikim edhe për Gjermaninë. Duhet të jemi të qartë: respektimi i parimit të unanimitetit funksionon vetëm për sa kohë presioni i veprimit është i ulët. Por nuk është ky rasti, duke marrë parasysh së fundmi pikën e kthesës.

Alternativa ndaj vendimeve me shumicë nuk do të ishte ruajtja e status quo-së por përparimi në grupe gjithnjë e më të ndryshme, një xhungël rregullash të larmishme dhe Opt-ins-esh e Opt-out-esh të vështira për t’u menaxhuar. Ky nuk do të ishte një integrim i diferencuar, por një bar i keq i pakontrollueshëm dhe një ftesë për të gjithë ata, të cilët vënë bast kundër një Evrope të Bashkuar gjeopolitike dhe që duan të na ndërsejnë kundër njëri-tjetrit. Këtë nuk e dua! 

Teza ime për vendimet me shumicë është kritikuar herë pas here dhe unë mund t’i kuptoj shumë mirë shqetësimet, veçanërisht ato të shteteve të vogla anëtare. Edhe në të ardhmen çdo vend duhet të dëgjohet me shqetësimet e tij – gjithçka tjetër do të ishte një tradhëti ndaj idesë evropiane. Dhe pikërisht sepse unë i marr shumë seriozisht këto shqetësime, ju them: Le të kërkojmë së bashku kompromise! Mund të përfytyroj përshembull të fillohet me vendimet me shumicë së pari në fushat, ku është veçanërisht e rëndësishme të flasim me një zë – për shembull në politikën e sanksioneve ose në çështjet e të drejtave të njeriut. Unë bëj gjithashtu thirrje për më shumë guxim për të abstenuar në mënyrë konstruktive. E shoh këtë si një detyrim per ne gjermanët dhe gjithë të tjerët që janë të bindur për vendimet me shumicë. Sa më shumë shtete do të ndiqnin këtë ide, aq më shumë do t’i afroheshim një Evrope gjeopolitike dhe të aftë për politikë botërore. 
 
Edhe Parlamenti Evropian nuk do t’u shmanget reformave. Në marrëveshje parashikohet, për një arsye të mirë, një numër maksimal prej 751 deputetësh. Megjithatë, ne do ta tejkalojmë këtë numër nëse do të anëtarësohen vende të reja – të paktën në momentin, kur parlamenti do të zgjerohet thjesht me mandatet, që do t’u takonin vendeve të reja anëtare sipas rregullave të deritanishme. Nëse nuk duam ta fryjmë Parlamentin Evropian, atëherë na nevojitet një ekuilibër i ri në përbërjen e tij pikërisht duke marrë në konsideratë parimin demokratik, sipas së cilit çdo votë duhet të ketë pothuaj të njejtën peshë. 

Në fund të fundit, edhe në Komisionin Evropian bëhet fjalë për gjetjen e ekuilibrit të drejtë midis përfaqësimit dhe funksionalitetit. Një Komision me 30 apo 36 komisionerë arrin në limitet e aftësisë së tij për të qenë operacional. Nëse do i përmbaheshim dhe faktit që çdo komisionere ose komisioner është përgjegjës për fushën e vet politike, kjo do të çonte – për të kujtuar dhe një tjetër bir të madh të këtij qyteti – në një atmosferë kafkiane. 

Njëkohësisht unë e di se sa rëndësi i kushtojnë të gjitha vendet anëtare faktit, që të jenë të përfaqësuar në Bruksel me komisionerin ose komisioneren “e tyre”. Dhe kjo është gjithashtu e rëndësishme, se tregon që në Bruksel të gjithë qendrojnë ulur në të njëjtën tryezë. Të gjithë vendosin së bashku. Prandaj nuk dua të ndryshoj parimin  një komisionere ose komisioner për shtet. Por çfarë flet kundër faktit që dy komisionerë të jenë bashkëpërgjegjës për një drejtori të përgjithshme? Kjo funksionon çdo ditë dhe jo vetëm në organet vendimmarrëse të kompanive në mbarë botën. Zgjidhje të tilla ekzistojnë edhe në qeveritë e disa shteteve anëtare, si në përfaqësimin e jashtëm ashtu dhe në ndarjen e brendshme të përgjegjësive.

Pra, le të kërkojmë kompromise të tilla – për një Evropë funksionale! 

Mendimi i dytë, që dëshiroj të ndaj me, ju ndërthuret me një koncept, rreth të cilit vitet e shkuara kemi diskutuar shpesh: sovraniteti evropian. 

Këtu nuk e kam fjalën për semantikën. Në thelb sovranitet evropian do të thotë të bëhemi të pavarur në të gjithë sektorët, të marrim më shumë përgjegjësi mbi vete për sigurinë tonë, të bashkëpunojmë edhe më ngushtësisht e të jemi më të bashkuar, me qëllim që të realizojmë vlerat dhe interesat tona në mbarë botën.

Nuk është vetëm sulmi i Rusisë kundër rendit evropain të paqes, që na detyron të veprojmë kështu. Unë i përmenda edhe më parë varësitë, drejt të cilave kemi lëvizur. Importet ruse të energjisë janë një shembull veçanërisht i qartë, por jo i vetmi. Le të marrim për shembull emergjencat në rastin e furnizimit me gjysmëpërçues: varësive të tilla të njëanshme duhet t’u japim fund sa më shpejt të jetë e mundur!

Mirëqenien e saj Evropa ia detyron tregtisë. Këtë sektor nuk duhet t’ua lëmë të tjerëve. Ndaj na nevojiten marrëveshje të tjera të qëndrueshme të tregtisë së lirë dhe një agjendë ambicioze tregtie.

Kur flasim për furnizimin me lëndë të para apo metale të rralla, na vinë në mend para së gjithash vende origjine shumë larg Evropës. Por këtu anashkalohet shpesh një gjë: një pjesë e madhe e liciumit, kobaltit, magnezit apo nikelit, prej të cilave varen në mënyrë kaq të ngutshme ndërmarrjet tona, gjenden këtu tek ne në Evropë prej shumë kohësh. Në çdo aparat celular, në çdo bateri makine, gjenden lëndë të para të çmuara. Pra, nëse ne flasim për sovranitet ekonomik, duhet të flasim edhe rreth një shfrytëzimi shumë më të fuqishëm të këtij potenciali. Teknologjitë për këtë qëllim i kemi që sot. Ajo për çka kemi nevojë, janë standardet e përbashkëta për të hyrë në një ekonomi ciklike të vërtetë – unë e quaj: një update strategjik të tregut tonë të brendshëm.

Pavarësia ekonomike nuk nënkupton autarki. Ky nuk mund të jetë qëllimi i Evropës, e cila ka përfituar gjithnjë dhe vazhdon të përfitojë nga tregtia dhe tregjet e hapura. Po ne na nevojitet një „game plan“, le ta quajmë një strategji „Made in Europe 2030“. 

Për mua kjo do të thotë: Atje, ku Evropa ka mbetur pas Silicon Valley-t, Shenzhenit, Singaporit apo Tokios, dëshirojmë të luftojmë për të arritur majën. 

Në rastin e çipave dhe gjysmëpërçuesve, aq të rëndësishëm për industrinë tonë, ne kemi ecur përpara falë një angazhimi të fuqishëm e të vërtetë evropian. Vetëm para pak kohësh, për shembull, Intel ka bërë të ditura investime në vlerën e miliarda eurove në Francë, Poloni, Gjermani, Irlandë, Itali dhe Spanjë – një hap gjigand drejt një gjenerate të re të „Microchips Made in Europe“. Dhe ky është vetëm fillimi: me kompani të tilla si Infineon, Bosch, NXP apo GlobalFoundries ne po punojmë me projekte, që do ta lartësojnë Evropën në majat botërore në pikëpamje teknologjike.

Pasi ambicja jonë nuk do të mjaftohet së prodhuari në Evropë vetëm ato artikuj, që mund të prodhohen edhe gjetkë. Unë dëshiroj një Evropë pararendëse në teknologji kyçe të rëndësishme.

Le të marrim mobilitetin e të ardhmes. Informacionet do të luajnë rolin vendimtar në këtë kontekst – për drejtimin autonom të automjeteve, në rrjetëzimin e mjeteve të ndryshme të transportit apo në komandimin inteligjent të flukseve të qarkullimit. Ndaj na duhet sa më shpejt të jetë e mundur një hapësirë evropiane e njësuar ndërkufitare për të dhënat e mobilitetit. Një fillim për këtë në Gjermani shënoi Mobility Data Space. Le ta lidhim me mbarë Evropën! Ai është i hapur për të gjithë ata, që duan të lëvizin diçka. Kështu mund të shndërrohemi në pararendës në mbarë botën.  

Kur flasim për digjitalizimin duhet të mendojmë në dimensione makro – dhe të përfshijmë edhe hapësirën, pasi sovraniteti në epokën e digjitalizimit varet prej aftësive në hapësirë. Një akses i pavarur në univers, satelitë modernë dhe megakonstelacione – këto janë vendimtare jo vetëm për sigurinë tonë, por edhe për mbrojtjen e mjedisit, bujqësinë e jo më pak edhe për digjitalizimin, mendoni: broadband-internet në mbarë Evropën.

Aktorë dhe start-up-e komerciale luajnë në këtë kontekst një rol gjithnjë e më të madh – këtë jemi duke e parë në SHBA. Ndaj për të patur një sektor evropian të fuqishëm e konkurrues të udhëtimeve hapësinore duhet, që edhe ne të mbështesim krahas lojtarëve të njohur tanimë edhe kompani të tilla inovative. Pasi vetëm kështu do të kemi një mundësi, që kompania tjetër e llojit të SpaceX të jetë nga Evropa.

Por edhe objektivi ynë madhor, që deri në vitin 2050 të jemi neutralë ndaj klimës si Bashkim Evropian, mbart jo më pak një mundësi të madhe: që pikërisht në këtë sektor me rëndësi vendimtare për të ardhmen e njerëzimit të mund të jemi „first mover“. Dhe konkretisht, duke zhvilluar teknologji këtu te ne, në Evropë, e duke i orientuar ato drejt pjekurisë për tregun, për t’u kërkuar e shfrytëzuar më pas në mbarë botën.

Në sektorin e energjisë elektrike mendoj ngritjen e një infrastrukture rrjeti dhe depozitimi për një treg të vërtetë energjie, i cili të furnizojë Evropën me fuqi hidrike nga veriu, atë të erës nga vija bregdetare dhe energji diellore nga jugu – në mënyrë të besueshme, si në verë ashtu edhe në dimër.

Më shkon mendja për një rrjet evropian hidrogjeni, që të lidhë prodhuesin me konsumatorin dhe të shkaktojë një bum! evropian elektrolize. Sepse vetëm me hidrogjenin industria mund të bëhet neutrale ndaj klimës.

Mendoj për një rrjet sa më të dendur stacionesh elektro-karikimi në secilin prej vendeve tona – për makina elektrike, por edhe për kamionë.

Dhe mendoj për investime në fushën e karburanteve të reja neutrale ndaj klimës për transportin ajror dhe në atë të infrastrukturës, që do të duhej, përshembull nëpër aeroporte – në mënyrë që objektivi i transportit ajror neutral ndaj klimës të mos mbetet një ëndërr, por të bëhet realitet, duke nisur pikërisht nga Evropa.

Ky transformim ekologjik dhe digjital i ekonomisë sonë do të kërkojë investime të konsiderueshme private. Baza për këtë është një treg i fuqishëm dhe i rrjedhshëm kapitali si dhe një sistem i qëndrueshëm financiar. Kjo është arsyeja, që Unioni i Bankave dhe Tregjeve të Kapitalit janë me rëndësi qendrore për mirëqenien tonë në të ardhmen.

Zonja dhe zotërinj, të gjithë këta janë hapa drejt sovranitetit evropian.

Më lejoni të shquaj edhe një pikë tjetër, e cila luan një rol vendimtar në kontekstin e sovranitetit, por dhe duke marrë në konsideratë luftën në lindje të Evropës: Në Evropë kemi nevojë për një bashkërenditje më të mirë të angazhimeve tona të mbrojtjes.

Nëse e krahasojmë me SHBA-të në Evropë ka një shumëfish të sistemeve të ndryshme të armëve. Kjo është joefikase, sepse kësisoj ushtareve dhe ushtarëve tanë u duhet të stërviten në shumë sisteme, e po kështu edhe mirëmbajtja dhe vënia në përdorim janë më të shtrenjta e të kushtueshme.

Pas tkurrjes së pakoordinuar të ushtrive dhe buxheteve evropiane të mbrojtjes, tanimë duhet të realizohet një rritje e koordinuar e aftësive evropiane. Për këtë qëllim është e nevojshme që, krahas prodhimit dhe sigurimit të përbashkët, kompanitë tona të bashkëpunojnë shumë më ngushtë në kuadër të projekteve të armatimit. Dhe kjo e bën të pashmangshëm një koordinim shumë të ngushtë në nivel evropian. Andaj është pikërisht koha që në Bruksel të mos takohen në mënyrë të pavarur vetëm ministret dhe ministrat e bujqësisë dhe mjedisit. Në kohë si këto na duhet një këshill i pavarur i ministreve dhe ministrave të mbrojtjes.

Që të përmirësojmë në mënyrë krejtësisht praktike bashkëpunimin midis forcave tona të armatosura, i kemi që tani në dorë disa instrumenta. Krahas Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes dhe Fondit të Mbrojtjes jam duke menduar para së gjithash për një bashkëpunim të tillë, siç është ai që praktikohet në Organizatën për Menaxhimin e Projekteve të Përbashkëta të Armatimit. Ashtu siç filluam asokohe me heqjen e kufijve në hapësirën Schengen me shtatë shtete, ashtu edhe kjo organizatë mund të shndërrohet në bërthamën e një Evrope të mbrojtjes dhe armatimit të përbashkët. 

Për këtë qëllim do të na duhet të verifikojmë të gjitha rezervat dhe kuadrin tonë rregullator kombëtar, për sa i përket, për shembull, shfrytëzimit dhe eksportit të sistemeve të prodhuara bashkarisht. Por kjo duhet të jetë e mundur – në interes të sigurisë dhe sovranitetit tonë, i cili varet pikërisht edhe nga aftësitë evropiane në armatim.

NATO mbetet garanti i sigurisë sonë. Por është e drejtë të thuhet edhe që çdo përmirësim, çdo unifikim i strukturave evropiane të mbrojtjes në kuadrin e BE-së e fuqizon NATO-n.

Ne duhet të nxjerrim mësim nga ngjarjet në Afganistan verën e shkuar. Në të ardhmen BE-ja duhet të jetë në gjendje të reagojë shpejt dhe me efektivitet. Ndaj Gjermania së bashku me partnerë të tjerë të BE-së do të kujdeset, që njësia e planifikuar e ndërhyrjes së shpejtë e Bashkimit Evropian të jetë operacionale në vitin 2025 dhe të përbëjë thelbin e këtij sektori. Për këtë qëllim nevojitet një strukturë e qartë drejtuese. Ndaj është e nevojshme që Komandon e Përhershme Qendrore të BE-së dhe, në terma afatmesëm, edhe një bazë të vërtetë qendrore të Bashkimit Evropian, ta pajisim me gjithçka që nevojitet për sa i përket financave, personelit dhe teknikës. Gjermania do ta marrë përsipër këtë përgjegjësi, nëse në vitin 2025 do të drejtojmë Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Në fund do të duhej, që në kohë krize proceset tona të vendimmarrjes politike t’i bënim më të lëvizshme. Për mua kjo do të thotë, të ezaurojmë krejtësisht të gjitha hapësirat ekzistuese në marrëveshjet e BE-së. Po, kjo do të thotë shpreshimisht edhe që të shfrytëzojmë shumë më fort mundësinë për t’i besuar angazhime një grupi shtetesh anëtare, që është i gatshëm për to, le ta quajmë një Kalicion i të Vendosurve. Kjo është ndarje e punëve brenda BE-së në formën më të mirë.

Është vendosur tanimë, që Gjermania do të mbështesë Lituaninë më një brigadë të gatshme si dhe NATO-n me trupa të tjerë të një gatishmërie të lartë. Sllovakinë e mbështetsim ndër të tjera në mbrojtjen e hapësirës ajrore. Republikën Çeke dhe vende të tjera i kompensojmë për tanket sovjetike të dërguara në Ukrainë me tanke të teknikës gjermane të ndërtimit. Në të njëjtën kohë këmi rënë dakord, që forcat tona të armatosura të kenë një bashkëpunim shumë më të ngushtë. Po kështu 100 milionë eurot, me të cilat ne do të modernizojmë Bundeswehr-in në vitet e ardhshme, do ta forcojnë sigurinë evropiane dhe atë transatlantike.

Në Evropë kemi nevoje të konsiderueshme përmirësimi në mbrojtjen ndaj kërcënimeve nga ajri dhe hapësira. Ndaj në vitet e ardhshme do të investojmë shumë fort në mbrojtjen nga ajri. Të gjtha këto aftësi do të jenë të shfrytëzueshme në kuadër të NATO-s. Në të njëjtën kohë Gjermania do ta organizojë mbrojtjen e saj nga ajri prej fillimit në mënyrë të tillë, që në të të marrin pjesë edhe fqinjët tanë evropianë, nëse do të dëshirojnë, sikundër mund të jenë polakët, balltikët, holandezët, çekët, sllovakët apo partnerët tanë skandinavë. Një sistem i mbrojtjes ajrore i ndërtuar në mënyrë të përbashkët do të ishte jo vetëm më ekonomik dhe eficient, se sa në rastin që secili prej nesh të kishte ngritur mbrojtjen e vet ajrore të shtrenjtë e tejet të komplikuar, por ai do të ishte edhe një përfitim për sigurinë e mbarë Evropës si dhe një shembull i shkëlqyer, që do të bënte të qartë, se ç’duam të themi kur flasim për fuqizimin e kolonës evropiane të NATO-s.

Edhe misioni i tretë i madh, që shoh unë për Evropën, është pasojë e pikë-kthesës mes epokave dhe shkon njëkohësisht shumë përtej saj. Rusia e Putinit e sheh veten në një të ardhme jo të largët në pozicionin e kundërshtarit të Bashkimit Evropian. Çdo mosmarrëveshje mes nesh, çdo dobësi do të shfrytëzohet prej Putinit. Autokratë të tjerë do ta imitojnë. Sillni ndërmend vetëm se si diktatori bjellorus Lukashenko tentoi vitin e shkuar të na vinte nën presion me vuajtjen e mijëra të arratisurve dhe emigrantëve nga Lindja e Afërt. Po kështu edhe Kina e të tjerë do të shfrytëzojnë hapësirat, që ofrojmë ne evropianët, kur nuk jemi të bashkuar. 

Se ç’përfundime duhet të nxjerrë Evropa së këtejmi, mund të përmblidhet ndoshta kështu: duhet të shtrëngojmë rradhët, të kapërcejmë konfliktet e vjetra e të gjejmë zgjidhje të reja. Kjo tingëllon si diçka e vetëkuptueshme, por pas saj fshihet shumë punë. Le të marrim për shembull vetëm dy sektorë, që vitet e shkuara kanë shkaktuar tensionet më të mëdha mes shteteve anëtare, politikën migratore dhe atë financiare.

Që mund të ecim përpara me politikën migratore, e dëshmuam pas sulmit rus kundër Ukrainës. Për herë të parë Bashkimi Evropian aktivizoi Direktivën për Mbrojtjen e Përkohshme. Pas këtij termi të drunjtë për miliona ukrainase dhe ukrainas fshihet  pakëz normalitet larg vendit të tyre, leje-qëndrimi të shpejta dhe të sigurta, mundësi për të punuar apo frekuentuar një shkollë apo universitet si ky i këtushmi. 

Edhe në të ardhmen do të vinë njerëz në Evropë, për të kërkuar qoftë mbrojtje nga lufta dhe përndjekjet, qoftë punë dhe një jetesë më të mirë. Për miliona njerëz në mbarë botën Evropa mbetet një vend i dëshiruar. Nga njëra anë kjo është dëshmi e shkëlqyer e fuqisë tërheqëse të kontinentit tonë, por nga ana tjetër është edhe një realitet, me të cilin ne, evropiane dhe evropianë, duhet të përballemi. Kjo nënkupton një formësim vizionar të migracionit, në vend që të reagojmë ad hoc ndaj krizave. Kjo do të thotë gjithashtu reduktim të migracionit të paligjshëm dhe njëkohësisht mundësim i migracionit të ligjshëm, sepse ne kemi nevojë për imigrimin. Aktualisht jemi duke përjetuar mungesa të gjithanshme të fuqisë punëtore të kualifikuar ne aeroporte, spitale dhe shumë ndërmarrje tonat.

Disa pika më duken me rëndësi qendrore.

Së pari. Ne kemi nevojë për më shumë partneritete detyruese me shtetet e origjinës dhe ato tranzit, si mes të barabartësh. Nëse fuqisë punëtore i ofrojmë më shumë rrugë të ligjshme drejt Evropës, në vendet e origjinës do të duhej të rritej gatishmëria që shtetasve të tyre pa leje-qëndrimi t’u mundësohej kthimi.

Së dyti. Pjesë e një politike funksionale migracioni është edhe mbrojtja efikase e kufijve të jashtëm, e cila u përgjigjet standardeve tona të shtetit ligjor. Zona Schengen, udhëtimet, të jetuarit dhe punuarit pa kufij, të gjitha këto mund të ekzistojnë ose të bien në varësi të kësaj mbrojtjeje. Schengen-i është një prej arritjeve më të mëdha të Bashkimit Evropian, dhe ne duhet ta mbrojmë dhe zgjerojmë atë më tej. E kjo do të thotë ndër të tjera edhe mbyllje e boshllëqeve ekzistuese. Kroacia, Rumania dhe Bullgaria i përmbushin të gjitha kriteret teknike për anëtarësim të plotë. Unë do të angazhohem, që ato të bëhen anëtarë me të drejta të plota.

Së treti. Evropës i duhet një sistem azilkërkimi, që të jetë solidar dhe resistent ndaj krizave. Është detyrimi ynë që t’u ofrojmë njerëzve në nevojë një shtëpi të sigurt. Nën presidencën franceze të Këshillit gjatë muajve të fundit kemi rënë dakord për një qasje graduale. Tani duhet që kësaj qasjeje t’i bashkohet edhe Parlamenti Evropian. Presidenca çeke mund të ketë besim në mbështetjen tonë të plotë gjatë bisedimeve me Parlamentin. 
Dhe së fundmi do të duhej që atyre, që qëndrojnë në BE në mënyrë të ligjshme si subjekte me të drejtë mbrojtjeje, t’u japim më shpejt se deri më tani mundësinë për të nisur një marrëdhënie punësimi në një shtet tjetër anëtar, në mënyrë që ata të mund të kontribuojnë me aftësitë e tyre, atje ku ka nevojë për ta. E duke qenë se nuk jemi naivë, duhet që njëkohësisht të pengojmë abuzimet, atëherë kur dëshira për punë duket që nuk ekziston. Nëse ia dalim kësaj, atëherë lëvizja e lirë nuk do të sjellë mbingarkimin e sistemit. E kësisoj do të kemi siguruar në vazhdimësi pranueshmërinë e kësaj lirie të madhe evropiane.

Zonja dhe zotërinj, sektori që na ka dyzuar më shumë ne si evropianë, pas atij të migracionit, ka qenë politika fiskale. Por gjithsesi programi historik i ndërtimit, i vendosur gjatë krizës së Corona-s, ka shenjuar një pikë kthese. Për herë të parë ne dhamë së bashku një përgjigje evropiane dhe mbështetëm me fonde të BE-së programet kombëtare të investimeve dhe reformave. Ramë dakord të investojmë bashkarisht për të forcuar ekonomitë tona. Dhe kjo ndër të tjera na ndihmon edhe në rrafshin e krizës aktuale. 

Ideologjia është dorëzuar përpara pragmatizmit. Dhe kjo duhet të na drejtojë, kur bëhet fjalë për çështjen, se si të zhvillojmë më shumë, përtej krizës së Corona-s, rregullat tona të përbashkëta, të cilat duhet të mund të respektohen dhe rishqyrtohen. Kështu krijohet besim dhe mundësohet solidaritet në kohë nevoje.

Krizat e viteve që shkuan e kanë rritur nivelin e borxheve të të gjitha vendeve anëtare. Ndaj duhet të gjejmë gjuhën, se si mund t’i ulim këto borxhe të larta. Kjo marrëveshje duhet të jetë detyruese, të mundësojë rritje ekonomike dhe të jetë e përçueshme në pikëpamje politike. Në të njëjtën kohë ajo duhet t’u bëjë të mundur të gjitha shteteve të BE-së që t’ia dalin me sukses në transformimin e ekonomive kombëtare përmes investimeve.

Në fillim të muajit ne si qeveri gjermane kemi parashtruar idetë tona për zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit evropian rregullator lidhur me borxhin. Ato ndjekin pikërisht këtë logjikë. Ne dëshirojmë të flasim hapur rreth tyre me të gjithë partnerët tanë evropianë, pa paragjykime, pa udhëzime dhe pa fajësuar kënd. Ne dëshirojmë të diskutojmë bashkarisht rreth strukturës së mundshme të një kuadri rregullator të qëndrueshëm pas pikë-kthesës. Këtu është fjala për diçka me rëndësi tejet themelore. Çështja është që qytetareve dhe qytetarëve t’u jepet garancia që monedha jonë është e sigurt dhe e pakthyeshme, dhe që ata mund të kenë besim në shtetin e tyre dhe Bashkimin Evropian edhe në periudhë krizash. 

Një prej shembujve më të mirë, se si ia kemi dalë vitet e shkuara në këtë përpjekje është programi evropian SURE. E nisëm gjatë krizës së Corona-s për të garantuar punën me kohë të shkurtuar. Prej tij përfituan më shumë se 30 milionë qytetare dhe qytetarë në mbarë Bashkimin Evropian, apo një në shtatë punëmarrës/e, që përndryshe me gjasë do të kishte dalë në rrugë. Krahas kësaj përmes një stimuli të tillë ne ia dolëm në rrafsh evropian që thuajse në të gjitha vendet në Evropë të aplikohej modeli i suksesshëm i punës me kohë të shkrurtuar. Dhe rezultati është një treg pune më i fortë dhe sipërmarrje më të shëndetshme në mbarë Evropën. Të tilla i përfytyroj unë zgjidhjet pragmatike në Evropë, edhe në të ardhmen.

Ndryshim epokash, kjo për politikën evropiane duhet të nënkuptojë ndërtim urash në vend të gërmimit të llogoreve. Qytetaret dhe qytetarët presin një Bashkim Evropian që ofron. Rezualtati i konferencës për të ardhmen e tregon mjaft artë këtë. Qytetaret dhe qytetarët presin prej BE-së gjëra krejtësisht të prekshme, si për shembull më shumë ritëm në mbrojtjen e klimës, ushqime të shëndetshme, zinxhirë të qëndrueshëm furnizimi, apo, pikërisht, një mbrojtje më të mirë të punëmarrëseve dhe punëmarrësve. Shkurt: ata presin „solidaritetin faktik“, për të cilin flitej në deklaratën e Schumann-it në vitin 1950. Varet prej nesh që ta rikrijojmë këtë solidaritet e t’ia përshtasim atë sfidave të epokës aktuale. 

Përgjatë dekadave të themelimit të Evropës së bashkuar ishte para së gjithash e rëndësishme që përmes një ndërthurjeje gjithnjë e më të ngushtë ekonomike, lufta mes vendeve anëtare të bëhej e pamundur.  Dhe suksesi i kësaj përpjekjeje mbetet merita historike e Unionit tonë. Por ndërkohë ky projekt paqeje u rrit dhe shndërrua në një projekt lirie dhe drejtësise. Dhe për këtë, nga ana tjetër, u detyrohemi para së gjithash vendeve, që i janë bashkuar më vonë komunitetit tonë, spanjollëve, grekëve dhe portugezëve, të cilët pas dekadash diktature u kthyen drejt Evropës së lirisë dhe demokracisë, e më pas qytetareve dhe qytetarëve të Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilët me luftën e tyre për liri, të drejta të njeriut dhe drejtësi kapërcyen Luftën e Ftohtë. Mes tyre kishte edhe shumë studente e studentë të guximshëm të këtij universiteti, të cilët një mbrëmje të errët nëntori të vitit 1989 klithën aq fort për liri sa që prej andej lindi një revolucion. Revolucioni i Mëndafshtë ishte një rast fatlum për Evropën.

Paqja dhe liria, demokracia dhe shteti ligjor, të drejtat dhe dinjiteti i njeriut, këto vlera të Bashkimit Evropian janë trashëgimia jonë e përftuar bashkarisht. E pikërisht tani, nisur nga rikërcënimi i lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor, që po përjetojmë në lindje të kontinentit tonë, e ndjejmë këtë lidhje veçanërisht më të fortë.

„Shtetet mbahen përmes idealeve, nga të cilat ato u krijuan.“ Këtë fjali e ka thënë një prej profesorëve më të shquar të këtij universiteti, Tomáš Masaryk, më pas President i Çekosllovakisë. Kjo fjali vlen për të gjitha shtetet; por ajo vlen edhe për Bashkimin Evropian si komunitet vlerash. E duke qenë se vlerat janë konstitutive për vijimësinë e ekzistencës së tij, është çështje e të gjithëve ne nëse këto vlera shkelen, jashtë Evropës, e ca më shumë brenda nesh. Ky është mendimi i katërt, që kisha dëshirë ta ndaja sot me ju.

Ndaj ne shqetësohemi, kur në mes të Evropës flitet për demokraci joliberale, sikur kjo të mos ishte një kundërshti në vetvete. Ndaj nuk mund ta pranojmë as që parimet e shtetit ligjor të shkelen dhe kontrolli demokratik të bëjë hapa mbrapsht. Dhe për ta thenë në mënyrë krejt të qartë: në Evropë nuk duhet të ketë tolerancë për racizmin dhe antisemitizmin. Për këtë arsye në mbështesim Komisionin në angazhimin e tij për shtet ligjor. Po kështu Parlamenti Evropian e ndjek këtë temë me vëmendje të madhe. Dhe unë jam shumë mirënjohës për këtë.

Nuk duhet të druhemi të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ekzistuese për eleminimin e mangësive. Pyetësorët tregojnë, se kudo, e meqë ra fjala edhe në Hungari e Poloni, një shumicë e konsiderueshme qytetaresh dhe qytetarësh do të donin madje një angazhim edhe më të madh të BE-së për lirinë dhe demokracinë në vendet e tyre. Ndër këto mundësi bën pjesë edhe Procedura e Shtetit Ligjor sipas nenit 7. Edhe në këtë kontekst duhet të largohemi prej alternativës së bllokimit. E logjikshme më duket gjithashtu, që respektimi i standardeve të shtetit ligjor të lidhet në mënyrë të vazhdueshme me pagesa, sikundër kemi vepruar me kuadrin financiar 2021 – 2027 dhe me fondin e rindërtimit në krizën e Corona-s – dhe do të duhej t’i hapnim Komisionit një rrugë të re për të aplikuar procedura të shkeljes së marrëveshjeve edhe në rastet kur bihet ndesh me atë, çka në thelb na mban bashkë, me vlerat tona themelore, të cilat të gjithë ne i kemi fiksuar në Marrëveshjen me BE-në: dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, shteti ligjor dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Në të njëjtën kohë do të dëshiroja, që të mos konfliktohemi para gjykatave për çështje të shtetit ligjor, pasi krahas gjithë procedurave dhe sanksioneve para së gjithash kemi nevojë që të zhvillohet një dialog i nivelit politik rreth mangësive, që ekzistojnë në të gjitha vendet. Raporti i Komisionit mbi shtetin ligjor me rekomandimet e veta sipas vendeve përbën një bazë të mirë për këtë qëllim. Zbatimin e këtyre rekomandimeve ne do ta ndjekim ngushtësisht në nivel politik si dhe do të bëjmë detyrat tona të shtëpisë. Sepse shteti ligjor është një vlerë themelore, e cila duhet të njësonte Bashkimin tonë. Dhe pikërisht në kohë si këto, kur autokracia sfidon demokracitë tona, kjo është më e rëndësishme se kurrë.

Zonja dhe zotërinj, i përmenda edhe më herët studentet dhe studentët e guximshëm të këtij universiteti, të cilët në mbrëmjen e datës 17 nëntor 1989 vunë në lëvizje Revolucionin e Mëndafshtë. Në kampusin e universitetit në rrugën Albertov, atje ku nisën protestat, një pllakë e vogël në ngjyrë bronxi na ndërmend këtë ngjarje. Dy fjali janë shkruar në të, dhe shpresoj t’i shqiptoj deri diku saktë: Kdy   když ne teď? Kdo   když ne my? – të përkthyera: Kur, nëse jo tani? Kush, nëse jo ne? – Që këtu, nga Praga, dua që përmes këtyre dy fjalive t’u bëj thirrje të gjithë qytetareve dhe qytetarëve evropianë, atyre që jetojnë brenda Unionit tonë, dhe atyre që, të shpresojmë, se do të bashkohen së shpejti me ne. Dua t’ua drejtoj atë personave me përgjegjësi politike, kolegeve dhe kolegëve të mi, me të cilët luftojmë të gjejmë zgjidhje çdo ditë në Bruksel, Strasburg apo në kryeqytetet tona. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë, e cila mban emrin Evropë. Dhe kjo Evropë është sot më e sfiduar se kurrë.

Kur, nëse jo tani, ndërsa Rusia kërkon të zhvendosë kufirin mes lirisë dhe autokracisë, do vendosim gurët e themelit për një Union të zgjeruar të lirisë, sigurisë dhe demokracisë? Kur, nëse jo tani, do të krijojmë një Evropë sovrane, që mund të tregojë vlerat e saj në një botë shumëpolare? Kur, nëse jo tani, do të kapërcejmë dallimet, që na paralizojnë e ndajnë prej vitesh? Kush, nëse jo ne, do të mund t’i mbronte vlerat e Evropës, njësoj si brenda dhe jashtë?

Evropa është e ardhmja jonë dhe kjo e ardhme është në duart tona.

Shumë faleminderit.